Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e Kosovës për përfshirje në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar dhe ekonomik të vendit në sistemin evropian të pagesave.
Sipas BQK-së, dorëzimi i aplikimit është rezultat i reformave të ndërmarra në kuadër të Planit Strategjik 2024-2028, ku përgatitja për anëtarësim në SEPA është përcaktuar si një nga objektivat kryesore institucionale.
Përfshirja e Kosovës në SEPA pritet të mundësojë realizimin e pagesave ndërkufitare në euro në mënyrë më të shpejtë dhe efikase, me kosto më të ulëta dhe kushte më të favorshme për qytetarët dhe bizneset.
Në kuadër të këtij procesi, BQK-ja ka udhëhequr një sërë reformash ligjore, rregullative dhe institucionale, duke përfshirë përafrimin e legjislacionit vendor me kërkesat evropiane.
Ndër hapat e ndërmarrë janë avancimi i Ligjit për Shërbimet e Pagesave, Ligjit për Bankat dhe ndryshimet në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (AML/CFT).
BQK-ja ka theksuar se ky proces është realizuar në bashkëpunim me Kuvendin, Qeverinë, Ministrinë e Financave dhe institucionet e tjera përgjegjëse, si dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Bankës Botërore dhe institucioneve evropiane.
Pas dorëzimit të aplikimit, procesi hyn në fazën e shqyrtimit dhe vlerësimit nga organet përkatëse evropiane, të cilat do të vlerësojnë përputhshmërinë e kornizës ligjore dhe rregullative të Kosovës me kërkesat e SEPA-s.
BQK-ja ka sqaruar se dorëzimi i aplikimit nuk nënkupton pranimin automatik të Kosovës, ndërsa pas një vendimi pozitiv do të pasojnë procedurat për pjesëmarrjen e institucioneve financiare të vendit në skemat përkatëse të pagesave.
Banka Qendrore ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet evropiane, bankat komerciale dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave për përgatitjet teknike dhe operacionale të nevojshme për integrimin në SEPA.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt integrimit financiar evropian, me synimin për të lehtësuar qarkullimin e pagesave dhe për të sjellë përfitime afatgjata për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

