Kombëtarja e Kosovës ka barazuar 0:0 me Izraelin në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në Debrecen të Hungarisë, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Në një ndeshje me numër të kufizuar shikuesish, të organizuar nga Federata e Futbollit të Izraelit, Dardanët patën disa mundësi për të shënuar, por nuk arritën ta gjejnë rrjetën.
Në pjesën e parë, Izraeli pati iniciativën dhe rrezikoi në disa raste portën e Kosovës. Portieri Amir Saipi ishte në nivel të lartë dhe me disa pritje të sigurta mbajti portën e paprekur. Në minutën e 31-të, ai intervenoi në dy raste radhazi për ta shpëtuar portën e Kosovës.
Ndërkohë, Kosova pati rastin e parë të mirë pesë minuta më vonë, kur Lumbardh Dellova goditi nga distanca, por portieri izraelit ishte i sigurt në reagimin e tij.
Dardanët e nisën më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 52-të Muharrem Jashari pati mundësi të mirë për shënim, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri kundërshtar.
Vetëm tri minuta më vonë, Saipi bëri edhe një pritje të rëndësishme, duke ndalur gjuajtjen e fortë të njërit prej futbollistëve izraelitë.
Përzgjedhësi Franco Foda bëri disa zëvendësime për ta freskuar skuadrën. Në minutën e 58-të në fushë u inkuadruan Leon Avdullahu, Veldin Hoxha dhe Dion Gallapeni, duke zëvendësuar Muharrem Jasharin, Milot Avdylin dhe Dion Kaçurin. Për Kaçurin kjo ishte paraqitja debutuese me fanellën e Kombëtares së Kosovës.
Më pas, në vend të Albion Rrahmanit u inkuadrua Milot Rashica, ndërsa në minutën e 77-të Valmir Matoshi ia liroi vendin Edon Zhegrovës. Ky i fundit pati një tentativë në fund të takimit, por nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë.
Pas këtij barazimi, Kosova ka katër pikë dhe renditet në vendin e dytë në Grupin B3. Me katër pikë është edhe Irlanda, ndërsa Austria kryeson grupin me shtatë pikë. Izraeli mbetet në vendin e fundit me një pikë.
Dardanët tani do të vazhdojnë përgatitjet për ndeshjet e ardhshme në kuadër të Ligës së Kombeve kundër Austrisë, e cila zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

