Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shtyrë për të dielën vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së 11-të, mes mosmarrëveshjeve për votimin e nënkryetarëve, pasi partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) braktisën sallën.
PDK-ja e kishte braktisur sallën të premten paradite pasi Lëvizja Vetëvendosje në pushtet nuk ia kishte votuar kandidaten për nënkryetare dhe nuk u kthye në sallë kur seancë vazhdoi pasdite.
LDK-ja nuk pranoi ta propozojë kandidatin e saj, pasi Haxhiu e tejkaloi zgjedhjen e nënkryetarit nga PDK-ja, i cili ishte i dyti në radhë për t’u zgjedhur, sipas procedurës.
Gjatë vazhdimit të seancës konstituive paraditen e së premtes, Ardian Gola nga LVV-ja e u zgjodh në postin e nënkryetarit, por jo edhe e propozuara e PDK-së, Vlora Çitaku.
Deputetët e PDK-së lëshuan sallën dhe thanë se nuk do të merrnin pjesë më në seancë dhe do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese.
LVV-ja tha se voton nga një kandidat nga PDK-ja dhe Lidhja Demokratike të Kosovës për postin e nënkryetarit, por tha se nuk voton persona “që duan ta çojnë vendin në zgjedhje”.

