Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga asamblistët e Kryeqytetit që në seancën e së premtes të votojnë themelimin e Kompanisë Komunale “Pastrimi”.
Rama e ka cilësuar këtë si një prej vendimeve më të rëndësishme për Prishtinën, duke thënë se gjendja me mbeturinat nuk mund të vazhdojë më në këtë mënyrë.
Ai u ka bërë thirrje veçanërisht asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ta mbështesin themelimin e kompanisë.
“Qytetarët ju kanë votuar me marrë vendime që ua zgjidhin problemet. Bërllogu është në lagjet ku jetoni edhe ju, në rrugët ku kalojnë fëmijët tuaj, në qytetin ku jetojnë familjet tuaja!”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, propozimi për themelimin e kompanisë është i gatshëm dhe zgjidhja për problemin është para tyre. “Votojeni!”, ka përfunduar Rama.

