Zyrtare: Rron Sylejmani nënshkruan me Llapin

Zyrtare: Rron Sylejmani nënshkruan me Llapin

Klubi Futbollistik Llapi ka kënaqësinë të njoftojë transferimin e sulmuesit të talentuar, Rron Sylejmani, i cili ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me opsion vazhdimi edhe për një vit tjetër.

19-vjeçari, që luan si sulmues i krahut, ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm me Kosova VR, ku ka realizuar 8 gola dhe ka asistuar 12 herë – statistika që konfirmojnë potencialin dhe cilësitë e tij.

Karriera premtuese e Rronit ka spikatur edhe më herët me ekipin U17 të KF Rilindja, ku ishte shpallur golashënuesi më i mirë i regjionit të Prishtinës me mbi 30 gola, ndërsa në të njëjtën kategori ishte shpallur kampion me FC 2 Korriku.

Rroni vjen nga një familje sportistësh. Axha i tij, Arbër Sylejmani ka qenë pjesë e KF Llapit në vitet 2013, 2014 dhe 2015, me golat e të cilit, Llapi u ngjit në Superligë nga Liga e Parë.

Ky transferim dëshmon edhe njëherë fokusin e klubit tonë në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe cilësorë. Me transferimin e Rronit në ekipin tonë, rritet konkurrenca dhe kualiteti brenda grupit të futbollistëve të rinj që synojnë të fitojnë minuta në ekipin e parë.