Zvicra eliminon kampionin në fuqi të Evropës

Zvicra eliminon kampionin në fuqi të Evropës

Zvicra ka fituar me rezultat 2-0 ndaj Italisë duke i eliminuar “Azurrët” kështu nga Euro 2024 dhe duke u kualifikuar në çerekfinale të kësaj gare.

Helvetikët rastin e parë serioz e patën në minutën e 24-të me anë të Breel Embolos i cili dështoi të shënojë ballë për ballë Gianluigi Donnarummës.

Italia në anën tjetër pati një paraqitje të zbehtë duke mos arritur që të krijojë ndonjë mundësi të mirë shënimi.

Pasi iniciativa ishte pothuajse gjatë tërë kohës në anën e tyre, përpjekjet e lojtarëve zviceran u shpërblyen me gol.

Në minutën e 37-të Zvicra arriti që të shënojë golin e epërsisë me anë të Remo Freuler i cili pranoi një pasim të mirë brenda zonës duke shënuar me qetësi për 1-0.

Fabian Rieder i Zvicrës ishte ai që iu afrua seriozisht golit të dytë kur në minutën e parë të shtesës bëri një gjuajtje të fuqishme nga goditja e dënimit, por u ndal nga Donnarumma.

Përkundër faktit që “Azzurrët” ishin në disavantazh, përsëri ishte Zvicra ajo që diktonte tempon e lojës duke mos lejuar të rrezikohej porta e Yann Sommer.

Në pjesën e dytë Italia ishte pak më e rrezikshme, por jo diçka mjaftueshëm për të ndryshuar epilogun e këtij takimi.

Scamacca në minutën e 75-të e pati rastin më serioz në këtë takim për italianët, por gjuajtja e tij u ndal nga shtylla.

Në çerekfinale zviceranët do të luajnë me fituesin e ndeshjes Angli/Sllovaki.