“Zonja e Vjetër” në kërkim të zëvendësuesit, spikat ish kaptenin e Realit
Performcanca shumë e mirë e Juventusit ndaj Leipzig në mesjavë, teksa “Zonja e Vjetër” triumfoi megjithëse me një lojtar më pak në fushë, nuk rezultoi pa pasoja.
Qendërmbrojtësi brazilian Gleison Bremer, u dëmtua në fillimin e sfidës dhe pas zhvillimit të vizitave mjekësore një ditë më pas, nga rezultatet u mësua se praktikisht ai do të humbasë të gjithë pjesën tjetër të sezonit.
Një lajm shumë i keq për bardhezinjtë, që humbasin kështu një prej elementeve kyç të formacionit e të një lideri në mbrojte që ofronte siguri maksimale.
Që në këtë fundjavë në sfidën ndaj Cagliarit, pritet që tekniku Motta të aktivizojë në qendër të mbrojtjes dyshen Kalulu-Gatti.
Megjithatë mediat italiane bëjnë me dije se klubi torinez do të rihidhet në merkato, për të afruar një mbrojtës, nga lista e lojtarëve të lirë.