ZKM njofton për takimin e Kurtit me Sarrazin, nuk zënë vend “temat e nxehta”

ZKM njofton për takimin e Kurtit me Sarrazin, nuk zënë vend “temat e nxehta”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

“Përgatitjet për samitin e këtij viti në Procesin e Berlinit që shënon 10 vjetorin e tij, bashkëpunimi rajonal dhe çështjet rajonale e evropiane ishin tema të bisedës”, njofton ZKM.

Tutje, në njoftimin e ZKM-së thuhet se kryeministri e falënderoi Sarrazin për angazhimin dhe rolin e Gjermanisë në thellimin e bashkëpunimit rajonal mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si palë të barabarta.

“Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, Kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës. Në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë në adresimin e përbashkët të tyre”, thuhet në njoftim.

Në njoftim s’është përmendur dialogu Kosovë- Serbi apo zbatimi i marrëveshjeve, anëtarësimi në KiE që llogariten ndër temat e nxehta të momentit.