ZKA-ja prezantoi Planin Vjetor të Auditimit 2024/25 dhe rezultatet e tri auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë

ZKA-ja prezantoi Planin Vjetor të Auditimit 2024/25 dhe rezultatet e tri auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën në një konferencë për media prezantoi Plani vjetor i auditimit 2024/25 dhe rezultatet e tri auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë si: “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Prishtinës”, “Efikasiteti në realizimin e projektit ‘Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak’”, “Menaxhimi i kontratës ‘Mirëmbajtja dhe riparimi i infrastrukturës në deponitë sanitare dhe stacionet e transferit në Kompaninë e Menaxhimit të Deponive në Kosovë’”.

Spanca tha se Plani i miratuar në tetor të vitit 2024, parasheh realizimin e 139 auditimeve deri në gusht të vitit 2025, duke përfshirë auditime të rregullsisë, pajtueshmërisë dhe performancës në institucione qendrore, lokale dhe ndërmarrje publike.

Ajo theksoi rritjen e numrit të auditimeve të veçanta të pajtueshmërisë për këtë vit, duke u fokusuar në fusha me ndikim të lartë në sektorin publik, si menaxhimi i pronave komunale, transparenca e subvencioneve dhe projektet e trashëgimisë kulturore.

Sa i përket rezultateve të tri raporteve të auditimit të cilat trajtojnë efikasitetin dhe pajtueshmërinë në menaxhimin e projekteve dhe kontratave publike, Auditorja e Përgjithshme tha se procesi i auditimit ka identifikuar vonesa të mëdha, tejkalim të kostove dhe mangësi në zbatimin e kontratave, duke përfshirë shkelje të kushteve ligjore dhe rritje të kostove për buxhetin e shtetit.