ZKA-ja kontribuon në zhvillimin e kapaciteteve audituese në nivel rajonal

ZKA-ja kontribuon në zhvillimin e kapaciteteve audituese në nivel rajonal

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës (ZKA) vazhdon të japë kontribut në ndërtimin e kapaciteteve profesionale në nivel rajonal. Specialisti i auditimit të performancës, Arben Selimi, mori pjesë si mentor në programin rajonal të trajnimit për auditim të performancës, të organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë (SNAO) në Sarajevë në javën e parë të prillit 2025.

Trajnimi bashkoi pjesëmarrës nga Institucionet Supreme të Auditimit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia, Gjeorgjia, Ukraina dhe Moldavia. Programi trajnues ka për synim zhvillimin e aftësive të auditorëve të rinj për auditime të performancës në përputhje me standardet e INTOSAI-t. Ky program përfshin metoda bashkëkohore të të mësuarit, punë praktike në grup dhe shkëmbim të përvojës profesionale.

Përmes rolit të tij si mentor, z. Selimi gjatë trajnimit ofroi udhëzime teorike dhe praktike, duke ndarë përvojën dhe ekspertizën e tij shumëvjeçare, për t’i ndihmuar auditorët në zhvillimin e aftësive metodologjike, analitike dhe komunikuese në auditimet e performancës.

Angazhimi i z. Selimit në këtë program si mentor përfaqëson një vlerësim të rolit të tij dhe të ZKA-së në promovimin e standardeve të larta profesionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e auditimit të performancës.

Këtë trajnim do ta ndjekin edhe auditorët, Edona Abazi, Verona Sekiraqa, Gezim Krasniqi dhe Gazmend Namani, të cilët pas përfundimit me sukses të detyrave të programit do të çertifikohen.

ZKA-ja ka 18 auditorë të çertifikuar për auditime të performancës në këtë program.