Zëvendësministrja Gashi: FIDAF, shembull frymëzues i diplomacisë kulturore
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, mori pjesë në Konferencën e 4-të Evropiane të Federatës Ndërkombëtare të Festivaleve të Kërcimit (FIDAF), ku u mirëpritën përfaqësues nga 24 shtete të Evropës në vendin tonë.
Në vazhdimësi të angazhimit për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, znj. Gashi vlerësoi punën e organizatorëve të FIDAF, të cilët kanë paraqitur dimensionin më të mirë kulturor të vendit, duke forcuar rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ky festival është një nga shembujt më të mirë të diplomacisë kulturore dhe të ndërlidhjes mes vendeve, duke krijuar hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe njohjen e artistëve nga e gjithë bota,” tha zëvendësministrja Gashi.
Ajo theksoi se aktivitete të tilla kanë rëndësi të veçantë për forcimin e lidhjeve ndër-rajonale, duke nxitur mirëkuptimin dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit për një vlerësim reciprok.
“Arti ndëton ura, por ajo çka është më e rëndësishme, sjell energji dhe pasion për një transformim pozitiv të shoqërisë,” shtoi ajo.
Zëvendësministrja Gashi theksoi përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të mbështetur iniciativa dhe projekte që promovojnë Kosovën dhe pasurojnë imazhin e saj pozitiv në botë.
Kjo konferencë e organizuar nga FIDAF ofroi një mundësi unike për të promovuar Kosovën si një destinacion kulturor dhe për të forcuar rolin e saj në bashkëpunimin ndërkombëtar.