Zëvendësministri Syla vizitoi komunën e Suharekës dhe Prizrenit
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, bashkë me ekipin e tij nga Ministra e Mbrojtjes, kanë vizituar komunën e Suharekës dhe komunën e Prizrenit.
Qëllimi i vizitës ishte thellimi i bashkëpunimit dhe mbështetja ushtarake për autoritetet civile, si mision i dytë i Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushën e menaxhimit të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.
Me kryetarin e komunës së Suharekës, Bali Muharremaj dhe kryetarin e komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, u diskutua ofrimi i mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes në fushën e planifikimit, sipas ciklit të menaxhimit emergjent: Parandalim (vlerësimi i rreziqeve, planet parandaluese, skenarët, ushtrimet dhe strehimoret); Gatishmëria – Plani Operativ Emergjent Lokal, Planet e Reagimit Emergjent, për objektet e rëndësisë veçantë (shkolla dhe çerdhe), procedurat, protokollet dhe ngritja e Qendrave Operative Emergjente Lokale; Reagim dhe Rimëkëmbje – Ngritja, trajnimi dhe certifikimi i njësive reaguese të Kërkim Shpëtimit Urban, Kërkim Shpëtimit Malor dhe Kërkim Shpëtimit Ujor, qoftë nga Njësitë Reaguese profesionale, qoftë nga shoqatat joqeveritare.
Po ashtu, gjatë takimeve u diskutuan edhe çështjet e evakuimit, numrit të strehimoreve dhe gjendjes së tyre.
Me këtë rast, zëvendësministri Syla u ofroi kryetarëve të komunave mbështetjen pa rezervë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, edhe me trajnime dhe certifikime në Qendrën Ndërkombëtare të Kërkim Shpëtimit Urban në Pomozatin, qendër e FSK-së dhe Gardës Kombëtare, tashmë ndër më të mirat në Evropë dhe në botë.
Kryetarët e komunave dhe zëvendësministri Syla u zotuan për një bashkëpunim të përhershëm në fushën e menaxhimit të krizave, fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.