“Zemra e secilit qytetar do të rrahë me tuajën”: Osmani ia dorëzon flamurin ekipit olimpik

“Zemra e secilit qytetar do të rrahë me tuajën”: Osmani ia dorëzon flamurin ekipit olimpik

Presidentja Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar flamurin e shtetit, ekipit olimpik të Kosovës, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Ajo tha se lojërat e tilla gjithnjë kanë qenë festë për vendin, që kur xhudistja Majlinda Kelmendi i dha shqiptarëve ndjenjën e krenarisë.

“Lojërat olimpike gjithnjë kanë qenë festë për Kosovën, që kur e arta jonë Majlinda Kelmendi, na dha një ndjenjë krenarie që vështirë mund të përshkruhet me fjalë. Jam e bindur që edhe Parisi do të jetë i tillë”, u shpreh Osmani.

“Në zemër të Francës, pra në Paris, atletë nga e gjithë bota do të mblidhen për të garuar në një nivel të lartë, duke përfaqësuar vendet e tyre me krenari e duke shfaqur talentin e tyre para botës”, shtoi ajo.

Presidentja tha gjithashtu se përkushtimi, disiplina dhe pasioni i ekipit olimpik të Kosovës, janë frymëzim, raporton Klankosova.tv.

“Natyrisht që garuesit tanë vazhdojnë të jenë mishërim i shpresave dhe ëndrrave tona. Përkushtimi, disiplina dhe pasioni juaj na frymëzojnë të gjithëve, prandaj ju mbani me vete për derisa nisni për Paris në ditët që vijnë, mbështetjen e admirimin e secilit qytetarë të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

“Derisa dilni në skenën globale, mbani me mend që asnjë moment nuk do të jeni vetëm”, theksoi tutje ajo.

“Siç e kam thënë edhe herën e kaluar, zemra e secilit qytetar do të rrah me tuajën, një shtet i tërë qëndron me ju duke iu brohoritur me krenari dhe me besim të plotë në aftësinë dhe punët tuaja”.

“Ndërsa sot iu dorëzoj flamurin e Republikës së Kosovës, jam e mbushur me krenari dhe shpresëplotë dhe shumë e lumtur, që këtë vit për herë të parë Kosova do të përfaqësohet edhe në lojërat paraolimpike”, theksoi Osmani në ceremoninë e dorëzimit të flamurit të Kosovës ekipit olimpik.