
Zelensky zotohet se Ukraina do ta vazhdojë luftën nëse bisedimet për paqe dështojnë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka këmbëngulur se, nëse nuk mund të arrihet marrëveshje diplomatike për përfundimit e luftës gjatë bisedimeve të tanishme për paqe, vendi i tij do të vazhdojë të mbrohet kundër pushtimit të plotë nga Rusia.
“Nëse Rusia i bllokon të gjitha këto, dhe, siç thashë, kjo varet nga partnerët tanë, pra nëse partnerët tanë nuk e detyrojnë Rusinë ta ndalë luftën, do të ketë një rrugë tjetër: të mbrohemi”, tha Zelensky më 3 janar, në prag të një jave tjetër të ngjeshur diplomacie, raporton Radio Evropa e Lirë.
Këto komente pasqyrojnë ato që udhëheqësi ukrainas i shprehu në fjalimin e tij të Vitit të Ri, kur theksoi se marrëveshja për paqe me Rusinë nuk mund të arrihet “me çdo kusht”.
“Çfarë dëshiron Ukraina? Paqe? Po. Me çdo kusht? Jo. Ne duam që lufta të përfundojë, por jo që Ukraina të marrë fund”, tha Zelensky në fjalimin e tij televiziv.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në nëntor 2025 e shtyu Zelenskyn ta pranonte një propozim për paqe, i cili përmban 28 pika. Shumëkush e kishte vlerësuar këtë plan si shumë të favorshëm për Rusinë.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë – të udhëhequr nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania – u mobilizuan për ta hartuar një kundërpropozim, duke paraqitur përfundimisht një plan me 20 pika që përfshinte më shumë interesat e Kievit, veçanërisht sa i përket garancive të sigurisë dhe integritetit territorial.
