Zelensky pas bisedës Trump-Putin për Ukrainën: S’ka marrëveshje pa ne

Zelensky pas bisedës Trump-Putin për Ukrainën: S’ka marrëveshje pa ne

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka reaguar ashpër marrëveshjes së presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin për t’i nisur negociatat për dhënie fund të luftës në Ukrainë, duke thënë se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që bëhet pa përfshirjen e Kievit.

Thirrja e realizuar nga Trumpi më 12 shkurt është një tjetër hap në përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës që ka nisur gati tre vjet më parë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë më 13 shkurt se gjithë këto përpjekje nuk përbëjnë “tradhti” për Kievin.

Mirëpo lajmi për thirrjen telefonike 90-minutëshe e ka tronditur gjithë Evropën, dhe disa liderë janë ankuar se janë lënë anash në procesin për ndalje të luftës.

Zelensky ka thënë se Ukraina “nuk mund të lejojë që gjithçka të shkojë sipas planit të Putinit”.

“Nuk mund ta pranojmë atë, si një shtet i pavarur, çfarëdo marrëveshje që mund të bëhet pa ne. Mund ta them këtë shumë qartë për partnerët tanë – secila negociatë bilaterale për Ukrainën, jo për çështjet tjera, por çdo bisedë për luftën në Ukrainë, pa neve, nuk do të pranohet”, ka thënë Zelensky gjatë një vizite në një central bërthamor në perëndim të Ukrainës.