Zelensky: Nuk do të luaj lojërat e Putinit me armëpushime të shkurtra

Zelensky: Nuk do të luaj lojërat e Putinit me armëpushime të shkurtra

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e refuzoi armëpushimin treditor të shpallur nga udhëheqësi rus, Vladimir Putin, duke e quajtur atë një shfaqje teatrale, por theksoi se Kievi është i gatshëm për një armëpushim të plotë.

Rusia deri tani ka refuzuar një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor, të propozuar nga Kievi dhe Uashingtoni, i cili po përpiqet të ndërmjetësojë dhënien fund të pushtimit trevjeçar rus të Ukrainës, raporton Rel.

“Kjo është më shumë një shfaqje teatrale nga ana e tij. Sepse në dy apo tre ditë është e pamundur të hartohet një plan për hapat e ardhshëm për t’i dhënë fund luftës”, tha Zelensky.

Zelensy i bëri këto deklarata të premten për një grup të vogël gazetarësh, deklarata që ishin nën embargo deri të shtunën.

Zelensky tha se Ukraina nuk do të “luajë lojëra për të krijuar një atmosferë të këndshme që t’i mundësojë Putinit të dalë nga izolimi më 9 maj”, kur disa udhëheqës të huaj pritet të shkojnë në Moskë për të marrë pjesë në ngjarjet kushtuar fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste më 1945.

Propozimi i Rusisë shihet në Ukrainë si një përpjekje për të penguar Kievin të godasë Moskën gjatë festës, e cila përfshin një paradë madhështore ushtarake në Sheshin e Kuq të Moskës dhe një fjalim të udhëheqësit rus drejtuar kombit.

Ukraina ka goditur Moskën disa herë gjatë pushtimit, si dhe ka shënjestruar objektiva të tjera në mbarë territorin rus.

Sipas Kremlinit, udhëheqës të rreth 20 vendeve, përfshirë presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë në kremtimin e këtij viti.

Zelensky tha se disa vende i janë drejtuar Kievit duke paralajmëruar se do të udhëtojnë drejt Rusisë dhe kanë kërkuar garanci për sigurinë e tyre.