Zelensky kërkesë vendeve të NATO-s: Hiqni kufizimet në sulm, nëse duam ta shpëtojmë vendin tonë duhet ta mbrojmë

Zelensky kërkesë vendeve të NATO-s: Hiqni kufizimet në sulm, nëse duam ta shpëtojmë vendin tonë duhet ta mbrojmë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri trysni liderëve të NATO-s të enjten t’i heqin të gjitha kufizimet ndaj Ukrainës në lidhje me përdorimin e armëve që ato ia kanë dhuruar, në mënyrë që Kievi të kryejë sulme thellë brenda territorit të Rusisë.

Nëse duam të fitojmë, nëse duam të triumfojmë, nëse duam ta shpëtojmë vendin tonë, dhe ta mbrojmë atë, ne kemi nevojë për heqjen e të gjitha kufizimeve”, tha Zelensky të enjten në një konferencë për media përkrah shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Një ditë më parë, NATO-ja njoftoi një paketë të madhe me ndihmë ushtarake për ta mbështetur Ukrainën kundër luftës pushtuese, të cilën Rusia nisi në shkurt 2022.

Ndihma përfshin dërgimin e avionëve luftarakë F-16, prodhim amerikan, si dhe një ndihmë ushtarake në vlerë 43 miliardë euro për vitin 2025.

Aleanca ka theksuar gjithashtu se Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet kundër agresionit të jashtëm dhe të vendosë për marrëveshjet e veta të sigurisë, duke deklaruar se “e ardhmja e Ukrainës është në NATO” dhe se Kievi do të mbështetet vazhdimisht në “rrugën e tij të pakthyeshme drejt integrimit të plotë euroatlantik”.

Më herët të enjten, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do t’i dërgojnë Ukrainës pajisje ushtarake në vlerë 225 milionë dollarë, pjesë e një pakete prej 61 miliardë dollarësh e aprovuar në prill.

Stoltenberg tha se, derisa Rusia ka tentuar “të na frikësojë për të mos e ndihmuar” Kievin, ka ndodhur e kundërta dhe aleatët e NATO-s janë “në fakt duke e shtuar mbështetjen për Ukrainën”.

Zelensky e ka cilësuar si të “suksesshme” ndihmën që i është ofruar vendit e tij gjatë samitit të NATO-s në Uashington këtë javë.

Megjithatë, ai theksoi se Ukraina ka nevojë të ketë më shumë kontroll për t’i goditur objektivat thellë brenda territorit rus – posaçërisht avionët luftarakë që i përdor ushtria ruse për të hedhur bomba në Ukrainë.

Disa baza ajrore, ku ruhen ata avionë, ndodhen rreth 500 kilometra larg kufirit me Ukrainën, tha ai më herët gjatë kësaj jave.