Zelensky i hapur për praninë e trupave të huaj në Ukrainë

Zelensky i hapur për praninë e trupave të huaj në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën se do ta konsiderojë vendosjen e përkohshme të forcave të huaja ushtarake në tokën ukrainase derisa vendi të bëhet anëtar i NATO-s, si mënyrë për ta siguruar vendin e tij si pjesë e marrëveshjes për paqe me Rusinë.

Duke folur më 9 dhjetor në një konferencë të përbashkët në Kiev me liderin opozitar të Gjermanisë, Freidrich Merz, Zelensky tha se për të qenë Ukraina e sigurt, nuk nevojitet vetëm anëtarësimi në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian gjithashtu, në mënyrë që të frenohej agresioni nga Moska, raporton Rel.

“Një kontingjent i forcave ushtarake nga një vend apo tjetër mund të qëndrojnë në Ukrainë derisa ajo të bëhet anëtare e NATO-s”, tha Zelensky, duke lënë të nënkuptohet se Kievi është i hapur për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për luftën ruse gati tri vjet të gjatë.

Deklarata e Zelenskyt u bën jehonë diskutimeve të mëparshme këtë vit, kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri thirrje për vendosjen e forcave evropiane në Ukrainë.

Derisa Zelensky pranoi se konsultimet mbi këtë çështje janë duke vazhduar, ai theksoi se dhënia e garancive absolute të sigurisë për Ukrainën është e rëndësishme.

“Ukraina dëshiron më shumë se kushdo tjetër që kjo luftë të përfundojë. Nuk ka dyshim, një zgjidhje diplomatike do të shpëtonte më shumë jetë. Ne e kërkojmë këtë”, tha ai.

“Nëse ka pauzë derisa Ukraina nuk është në NATO, edhe nëse kemi ftesën dhe nuk jemi në NATO, dhe do të ketë pauzë, atëherë kush na garanton siguri neve?” shtoi Zelensky.

Zelensky tha më vonë në një postim në Telegram se planifikon t’i telefonojë presidentit amerikan, Joe Biden, për të biseduar për çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Kievi ka bërë thirrje për zotime më të mëdha të sigurisë nga aleatët e tij perëndimorë.