Zelensky dëshiron takim ballë për ballë me Putinin në Turqi

Zelensky dëshiron takim ballë për ballë me Putinin në Turqi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se do të jetë në kryeqytetin turk, Ankara, më 15 maj për të zhvilluar një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, por theksoi se do të takohet vetëm ballë për ballë me homologun e tij rus – pjesëmarrja e të cilit është ende e pasigurt – dhe jo me zyrtarë të tjerë rusë.

Duke folur para gazetarëve në Kiev më 13 maj, Zelensky tha se ka ftuar presidentin amerikan, Donald Trump, i cili ndodhet në një vizitë në Lindjen e Mesme, që t’i bashkohet bisedimeve, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë dhe aleatët evropianë të Ukrainës po përpiqen që t’i japin fund luftës – konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton Rel.

Trump, duke folur nga Riadi pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve “historike” me Qeverinë saudite, tha se bisedimet e mundshme këtë javë mes Ukrainës dhe Rusisë në Turqi “mund të prodhojnë rezultate mjaft të mira”.

Ai shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të jetë në mesin e zyrtarëve më të lartë amerikanë që do të udhëtojnë drejt Turqisë për bisedimet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Megjithatë, Zelensky e bëri të qartë se Putini duhet të jetë i pranishëm në këto takime që të ketë përparim.

“Me [Putinin] duhet të negocioj për armëpushimin, sepse vetëm ai mund të marrë një vendim për këtë”, tha Zelensky, duke shtuar se nëse Putin vendos të udhëtojë në Stamboll – ku fillimisht pritej të mbahej takimi – atëherë ai do ta takonte atje.

“Nëse ai [Putini] bën hapin për të deklaruar se është i gatshëm për armëpushim, atëherë hapet rruga për të diskutuar të gjitha elementet për përfundimin e luftës”, shtoi ai.

Gjatë fundjavës, Putin propozoi që bisedimet të mbaheshin më 15 maj në Stamboll, gjë me të cilën Zelensky u pajtua. Megjithatë, Kremlini ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e presidentit rus.
“Sa të vendosë presidenti që është e nevojshme, do ta bëjmë një njoftim”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në Moskë, duke shtuar se Rusia vazhdon “të përgatitet për bisedimet”.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha më 13 maj se Putini nuk do të “guxojë” të paraqitet në takim, sepse “Rusia po luan lojëra dhe po përpiqet të fitojë kohë”.