Wisner: Ardhja e Donald Trump mund të eksplorojë ndarjen e Kosovës

Wisner: Ardhja e Donald Trump mund të eksplorojë ndarjen e Kosovës

Frank Wisner, ish-emisari amerikan që ndërmjetësoi bisedimet Prishtinë-Beograd para pavarësisë së Kosovës, ka folur për perspektivën nëse vjen në pushtet Kamala Harris apo Donald Trump.

Wisner ka deklaruar se nga kandidatja e Partisë Demokratike në garën presidenciale për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris, nuk pret ndonjë lëvizje të rëndësishme në kontekstin e mosmarrëveshjeve me Serbinë.

“Unë supozoj se administrata e Harrisit do të ndiqte synime më pak ambicioze. Ajo do të bënte përpjekje t’i ulte Kosovën e Serbinë në një tryezë, bashkë me evropianët, por do të synonte përparime më të vogla – në ekonomi, tregti, kulturë, lëvizje njerëzish… Pra, në gjëra që fillojnë ta ulin temperaturën mes dy vendeve”, u shpreh Wisner për Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, ish-diplomati nuk e përjashtoi mundësinë që ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili synon një tjetër mandat në krye të Shteteve të Bashkuara (SHBA) ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin, derisa përmendi propozimin e dikurshëm për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë.

“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, thotë Wisner.

Wisner kujton se një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, është përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.