Vushtrria kalon pengesën e parë të barazhit

Vushtrria kalon pengesën e parë të barazhit

Në një përballje tejet emocionuese dhe të ndjekur nga mijëra tifozë, Vushtrria ka triumfuar në ndeshjen e barazhit të Ligës së Parë kundër Lirisë së Prizrenit, me rezultat 3:1, duke mbajtur gjallë ëndrrën për rikthim në Superligën e Kosovës.

Ndeshja u zhvillua, të shtunën, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, në një atmosferë të jashtëzakonshme të krijuar nga dy tifozëritë e zjarrta –“Forca” e Vushtrrisë dhe “Arpaxhikët” e Prizrenit.

Ndeshja nisi më mirë për skuadrën prizrenase, që kaloi në epërsi me golin e Dijar Nikqit në minutën e 10-të. Megjithatë, Vushtrria reagoi fuqishëm dhe barazoi në minutën e 36-të me golin e Daut Maxhunit. Në pjesën e dytë, Theophilus Solomon realizoi nga pika e bardhë në minutën e 55-të, duke e përmbysur rezultatin.

Kur ndeshja po i afrohej fundit dhe Liria po sulmonte me të gjitha forcat, në minutat shtesë, Urim Statovci përmes një kundërsulmi vulosi fitoren, me një gol që fillimisht u kontestua, por pas verifikimit nga sistemi VAR u pranua.

Kjo fitore nga futbollistët e Vushtrrisë iu dedikua ish-bashkëlojtarit të tyre të ndjerë, Erjon Morina, i cili kishte ndërruar jetë tragjikisht pas një ataku në zemër.

Vushtrria tani do të përgatitet për sfidën vendimtare të barazhit kundër skuadrës së tetë të Superligës, pozitë që aktualisht e mban Llapi me 44 pikë, ndërsa Suhareka ndodhet në vendin e nëntë me 42 pikë. Skuadra që do t’i shmanget rënies direkte nga elita dhe do të luajë në barazh kundër Vushtrrisë përcaktohet nesër, kur luhen ndeshjet e javës së 36-të (të fundit) në AlbiMall Superligë.