Vulinit nuk i lejohet të fluturojë mbi Bosnje dhe Hercegovinë
Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i dhanë leje zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për të fluturuar me helikopter në Pale, afër Sarajevës, njoftoi Qeveria e Serbisë.
Vulin duhej të merrte pjesë në një festë të kësaj komune, të njohur si Vellika Gospojina, dhe të vendoste lule në Sheshin e Republikës Sërpska për luftëtarët serbë që humbën jetën në luftën e viteve 1990.
“Edhe pse kabineti i zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Serbisë i kanë dorëzuar në mënyrë të rregullt dhe me kohë të gjitha informatat e nevojshme dhe dokumentet mbështetëse, e madje kanë deklaruar qëllimin e vizitës, autoritetet në Federatë, me heshtjen dhe mospërgjigjjen e tyre, nuk e kanë dhënë pëlqimin për fluturim”, thuhet në komunikatën që transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.