Vuçiqi takon Lajçakun në Beograd, kërkon anulimin e vendimit të BQK-së për dinarin
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar të hënën anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Kërkesa e tij erdhi gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Beograd.
Vuçiq tha se e ka pasur një “takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm” me Lajçakun.
“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, shkroi Vuçiq në profilin e tij në Instagram, pas takimit me Lajçakun.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më herët se Vuçiqi ka kërkuar që Prishtina të mos i zbatojë vendimet e reja “përshkallëzuese”, ndër të cilat, siç tha ai, është vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës që të përdorë vetëm euro për pagesat me para të gatshme në Kosovë.
“Aleksandar Vuçiq ka nënvizuar qartë dhe mjaft mirë se cilat janë problemet në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Petkoviq.