Vuçiq shpall fitore në zgjedhjet parlamentare, vazhdon gara për Beogradin

Vuçiq shpall fitore në zgjedhjet parlamentare, vazhdon gara për Beogradin

Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.6 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, që nënkupton 129 ulëse në Parlament, sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.

Në vendin e dytë është koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave apo 63 ulëse.

Në vendin e tretë është Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, me 6.9 për qind të votave apo 19 ulëse.

Daçiq ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojë me partinë e Vuçiqit.

Sipas sondazheve, nga listat e komuniteteve, Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar, Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës pritet të fitojë gjashtë ulëse, koalicioni i kroatëve të Vojvodinës tri ulëse dhe një ulëse ka fituar Partia Ruse.

Serbia ka mbajtur të dielën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore.

Një total prej 18 partive dhe aleancave kanë garuar për të fituar mbështetjen e 6.5 milionë banorëve, me të drejtë vote, për përfaqësim në Parlamentin me 250 ulëse.

Pragu për hyrje në Parlament është 3 për qind.

Fillimisht numërohen votat për Parlament, më pas për krahina dhe ato lokale.