Vuçiq i bën thirrje opozitës të iniciojë referendum nëse ai duhet të qëndrojë në postin e presidentit

Vuçiq i bën thirrje opozitës të iniciojë referendum nëse ai duhet të qëndrojë në postin e presidentit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ftoi më 14 janar përfaqësuesit e opozitës që të kërkojnë mbajtjen e një referendumi këshillues për qëndrimin e tij në këtë post, me qëllim që të përcaktohet mbështetja që ka në mesin e qytetarëve.

Vuçiq, përmes një videoje të publikuar në Instagram, tha se Qendra Joqeveritare për Hulumtim, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) në Beograd kohët e fundit publikoi rezultatet e një sondazhi. sipas të cilit, në një referendum të tillë, 52 për qind e qytetarëve do të votonin kundër qëndrimit të tij në këtë funksion.

“Nëse këto pohime të CRTA-s janë të sakta, për mua është e pamundur të qëndroj në postin e presidentit të Serbisë. Prandaj, është e nevojshme që partitë opozitare të dorëzojnë vetëm 67 nënshkrime [të deputetëve] – dhe ata kanë më shumë se 80 – për të kërkuar mbajtjen e një referendumi këshillues për presidentin e Serbisë”, tha Vuçiq, raporton Rel.