Von der Leyen në Tiranë: Zgjerimi, prioritet i mandatit tim të dytë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet i saj edhe në mandatin e saj të dytë si shefe e organit ekzekutiv të bllokut, pas një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në Tiranë.
“Zgjerimi është përparësi e lartë edhe në mandatin tim të ardhshëm. Ka të bëjë me planin tonë të rritjes për Ballkanin Perëndimor, e diskutuam edhe në Berlin. Ne hapim derën tonë të tregut të përbashkët me partnerët e Ballkanit Perëndimor”, tha Von der Leyen në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ramën.
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që Von der Leyen po i viziton këtë javë – Shqipëria, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi – kanë me vite të tëra që synojnë t’i bashkohen bllokut.
Më vonë gjatë një vizite te Kolegji Evropian në Tiranë, Von der Leyen tha se tani “po fryn një erë ndryshimesh në Ballkanin Perëndimor.
“A mund të ndalojë kush erën e ndryshimeve? Sot kjo erë ndryshimesh po fryn jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por dhe në Ukrainë e Moldavi. Por, ka dhe erëra të tjera që fryjnë në drejtime të kundërta, drejt nacionalizmit apo shtypjes. Rusia ka hyrë në Ukrainë pikërisht për faktin se Ukraina donte të bëhej pjesë e BE-së”, tha ajo, duke iu referuar pushtimit të plotë të Ukrainës që Moska e nisi në shkurt 2022.