Von der Leyen konfirmon rekomandimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnjës

Von der Leyen konfirmon rekomandimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnjës

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka konfirmuar të martën se komisioni do të rekomandojë nisjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian (BE).

Duke folur në Parlamentin Evropian (PE), Von der Leyen theksoi se raporti i përpiluar nga Komisioni Evropian dëshmon përparimin që e ka arritur Bosnjë e Hercegovina, prandaj edhe i ka rekomanduar Këshillit të vendosë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me vendin ballkanik, raporton Rel.

“Prej kur i dhamë statusin e kandidatit, Bosnjë e Hercegovina ka bërë hapa mbresëlënës drejt nesh. Më shumë përparim është arritur gjatë pak më shumë se një viti, sesa gjatë një dekade“, tha Von der Leyen, duke i numëruar disa rezultate, përfshirë edhe faktin se Bosnjë e Hercegovina tash e ka nivelin e përshtatjes 100 për qind me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.