VMRO dhe VLEN bisedojnë për formimin e Qeverisë së re

VMRO dhe VLEN bisedojnë për formimin e Qeverisë së re

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, por pjesë e saj mund të jenë edhe parti të tjera opozitare që kanë fituar mandate në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj. Kështu kanë bërë të ditur drejtuesit e VMRO DPMNE-së, që fituan zgjedhjet e dyfishta, parlamentare dhe ato presidenciale, me një diferencë të madhe kundrejt Lidhjes Social Demokrate (LSDM), raporton Rel.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se pret që deri më 28 maj të bëhet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe më pas ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, por ai thotë se bisedimet do t’i nisë edhe para këtyre afateve.

“Shumë shpejt do t’i fillojmë negociatat me partitë opozitare për të formuar koalicionin dhe Qeverinë më të mirë për Maqedoninë tonë. Procesi do të jetë transparent. Kam biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN – Bilall Kasamin, kryetarin e Tetovës, dhe Arben Taravarin e Gostivarit. Presim që sa më parë t’i nisim bisedimet për programin e Qeverisë së re. Do të bisedojmë edhe me partitë tjera opozitare… Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë [së deritashme] dhe e shpëtoi vendin e tij”, ka deklaruar Mickoski.