
Vjosa Osmani: Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe liderët botërorë, përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë nënshkruar të enjten në Davos dokumentin e Bordit të Paqes.
Gjatë nënshkrimit të këtij dokumenti, presidentja Vjosa Osmani është parë duke komunikuar kokë me kokë me presidentin Trump.
Ndërkaq, ky i fundit pas nënshkrimit të këtij dokumenti, ia ka shtrënguar dorën Osmanit.
Presidentja Osmani ka theksuar se kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit.
Për këtë ngjarje ka shkruar Osmani në rrjetet sociale. “Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit. Faleminderit presidentit Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik. Kosova do të jetë në shërbim te paqes, sot e përherë!”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se: “Kur Amerika udhëheq, paqja është gjithmonë më e sigurt!”.
