
Vjosa Osmani e bën ambasador këshilltarin e vet
Përfundimisht, Vehbi Miftari është Shef i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Zyrtarizmi i detyrës së tij të re është bërë sot. Demokracia.com ka raportuar për këtë emërim ditë më parë.
Ashtu edhe siç pritej edhe ndodhi.
Vehbi Miftari, që deri tash ka qenë këshilltar politik i presidentes Vjosa Osmani, është emëruar ambasador në Vatikan
Miftari ka njoftuar se këtë detyrë do ta marrë nga 1 shkurti.
“Sot, pas tri vjetësh angazhimi si këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani, e përmbylla angazhimin tim në Zyrën e Presidentes së Kosovës. Ka qenë përvojë fort e vyer në shërbim të Republikës. E falënderova Presidenten për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe besimin e saj dhe të institucioneve të vendit që nga 1 shkurti të udhëheq misionin e sapothemeluar të Kosovës në Selinë e Shenjtë/Vatikan. Na priftë e mbara!”
Demokracia.com ka raportuar për këtë emërim, ku kishte siguruar edhe dekretin e presidentes Osmani për këshilltarin e deritashëm të saj, Vehbi Miftarin.
“z.Vehbi Miftari, emërohet Shef i Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë”, thuhet në dekretin e presidentes Osmani të nënshkruar më 12 janar 2024.
Po ashtu, Demokracia.com e ka siguruar edhe vendimin e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
“Me qëllim të zbatimit të Dekretit të Presidentes së Republikës së Kosovës Nr.19-2024, të datës 12.01.2024, z.Vehbi Miftar, emërohet Shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës, në selinë e Shenjtë-Vatikan.”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Gërvalla.
Në fillim të janarit, presidentja Osmani njoftoi se e ka dekretuar zyrtarisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan. Ajo e pati cilësuar këtë hap të rëndësishëm për Kosovën dhe raportet me Selinë e Shenjtë.
Vatikani ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.