Vizioni i Rugovës, demokracia dhe orientimi Euro-Atlantik

Vizioni i Rugovës, demokracia dhe orientimi Euro-Atlantik

Shkruan: Burim Ramadani

Demokracia në Kosovë ka zënë fill në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, përkatësisht në vitet e 90-ta. Roli i intelektualëve shqiptarë të Kosovës, në atë periudhë, ishte vendimtar dhe i pakontestueshëm.
Në këtë mes, lider i organizimit të tillë ishte zgjedhur dr. Ibrahim Rugova, në atë kohë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Përkundër situatës tepër të rëndë dhe nën okupim, në të cilën ndodhej Kosova, intelektualët e prirë nga presidenti Rugova arritën të krijojnë bazën për ndërtimin e një demokracie fillestare në vend.
Themelet e shtetit të Kosovës janë vënë në atë periudhë, gjë që domosdoshmërisht meriton nderimin e përjetshëm, ndërsa vulosja e shtetësisë është bërë me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe gjakun e derdhur për liri.
Vizioni i drejtuar nga ndërtimi i shtetit të pavarur, i integruar në NATO dhe në Bashkimin Europian, është përfaqësues i politikës pragmatike të bërë gjatë asaj periudhe.
Shtylla kryesore e asaj që ishte ndërtuar në vitet e 90-ta, pa dyshim është baza e orientimit të drejtë të shoqërisë kosovare në raport me vendet dhe në raport me vlerat perëndimore.
Sidoqoftë, duhet thënë qartë se vlerat e liderit historik Rugova janë vlera të përbashkëta të popullit të Kosovës.
Elita politike e Kosovës duhet të jetë e përkushtuar për të punuar në të mirën e Kosovës, për të zhvilluar demokracinë, për të funksionalizuar shtetin dhe anëtarësuar në NATO dhe BE.
Kosova ka nevojë më shumë se kurrë të arrijë stadin e të qenit shtet dhe shoqëri funksionale, transparente dhe demokratike.
(Foto e vitit 2002, një grup studentësh të Shkencave Politike në takim me Presidentin Rugova)

Mund të jetë një imazh i 2 persona