Vitia thotë se këtë vit funksionalizohet reparti i IVF-së në QKUK
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, tha se pret që në mesin e muajit dhjetor në Qendrën Klinike Universitare të nisë ofrimi i shërbimit për fertilitet të asistuar mjekësor (IVF).
Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Vitia tha se në repartin për IVF në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës “kanë ardhur të gjitha aparaturat” për këtë metodë, shkruan Rel.
Megjithatë, ai tha se përveç aparaturave, nevojiten edhe barna të caktuara hormono-stimuluese, të cilat, sipas Vitisë, janë futur në listën e barnave esenciale dhe kanë nisur procedurat për sigurimin e këtyre barnave.
Vitia tha se ofrimi i këtij shërbimi do të jetë shumë më i lirë për çiftet që duan të kenë fëmijë.
“Dy seancat e para do të jenë pa pagesë, ndërsa të tjerat janë me çmim shumë më të ulët sesa kanë qenë deri tash”, tha ai.
Për shkak të mungesës së ligjit adekuat, procedura e IVF-së deri më tani në Kosovë është ofruar vetëm nga institucionet private të lincenduara.
Fertizilimi me IVF kushton mijëra euro dhe vetëm çiftet e martuara në Kosovë mund t’i nënshtrohen kësaj metode.
Vitia po ashtu foli për mungesën e ligjit adekuat. Por, ai tha se ka një udhëzim administrativ që është në fuqi, që sipas tij është i pamjaftueshëm, por ai do të përdoret për të funksionalizuar nisjen e ofrimit të këtij shërbimi.