Viti 2023 me shifra alarmante: Mbi 21 mijë aksidente, 88 prej tyre me fatalitet

Viti 2023 me shifra alarmante: Mbi 21 mijë aksidente, 88 prej tyre me fatalitet

Viti 2023 sa i përket aksidenteve në komunikacion në nivel vendi është mbyllur si një vit i jashtëzakonshëm, pasi që numri i aksidenteve ka shkuar mbi 21 mijë, prej tyre 88 me fatalitet.

Njohësit e kësaj fushe, theksojnë se shkak i këtij numri të madh të aksidenteve është dhe do të mbetet infrastruktura rrugore, për çka thonë se deri më tash nuk është mare asnjë masë parandaluese në pikat e zeza në komunikacion.

Ndërsa, nga institucionet përgjegjëse për këtë situatë thonë se në vitin 2023 nuk janë përmbyllur shumë  projekte, por se në vitet në vijim do të investohet dhe do të ketë përmirësime.

Sipas raportit të policisë, derisa në vitin 2022 ishin 11 mijë 755 aksidente më dëme, gjatë muajit janar-nëntor të vitit 2023 numri ka arritur në13 mijë e 294, si dhe persona të lënduar mbi 15 mijë.

Këtë situatë alarmante, e cilëson eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj i cili tha se viti 2023 ka qenë vit i shëmtuar.

Dedaj tha se faktori kryesor i rritjes së numrit të aksidenteve është mungesa e investimeve në komunikacion, ai tha se institucionet duhet të kenë strategji për zvogëlimin e  aksidenteve, por se as atë nuk e kanë.

Të njëjtin mendim sa i përket aksidenteve rrugore dhe investimeve në infrastrukturë e ka edhe njohësi i kësaj fushe, Bekim Ahmeti. Derisa përmend mungesën e kamerave, mungesën e radarëve, mungesën e transportit publik, ai shprehet se gjendja është e njëjtë, nuk ka asnjë ndryshim për investime në komunikacion.

Ahmeti për KosovaPress thotë se për parandalimin e aksidenteve duhet të vetëdijesohen qytetarët dhe institucionet të gjejnë zgjidhje për ta.

Sa i përket investimeve në infrastrukturë, komunikacion dhe pikave të zeza të aksidenteve, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu thotët se 2023-ta ka qenë vit i vështirë, por sipas tij, janë përmbyllur projekte të rëndësishme rrugore.

Aliu përmendi investimet në rrugën e Gjakovës, Podujevës dhe autostradën e Gjilanit.

Po ashtu, Aliu shtoi se për vitin 2024 vendosja e kamerave në komunikacion do të jetë një ndër investimet më me ndikim në komunikacion. Ai u shpreh së është i kënaqur me investimet të cilat janë përfunduar dhe ato që janë në nisje sa i përket komunikacionit në vend.