Viola von Cramon thotë se qytetarët e Kosovës e kanë merituar liberalizimin e vizave
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur të hënën në takim raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila shoqërohej nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. “Faleminderit për kontributin tuaj madhor dhe mbështetjen rreth arritjes së liberalizimit të vizave”, u shpreh zëvendëskryeministri Bislimi në fillim të bisedës.
Nga ana tjetër, Von Cramon, bashkë me urimin e saj, shtoi se qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë merituar këtë vendim dhe arritjen e liberalizimit të vizave.
Në vijim, u diskutua dhe mbi angazhimin e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, çështjet në lidhje me procesin e dialogut si dhe zhvillimet në vend, rajon e më gjerë.
Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu falënderimin dhe vlerësimin e tij për rolin dhe angazhimin e Cramonit në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.