Vihet gurthemelimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime

Vihet gurthemelimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, vunë të hënën gurthemelin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në komunën e Shtimes.

Kryeministri Kurti theksoi se kjo ngjarje jetëson një zotim të tyrin dhe një pritje të qytetarëve të Shtimes për përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve shëndetësore në këtë komunë.

QKMF-ja do të ketë gjithsej një sipërfaqe prej 3,000 metrash katrorë.

Kjo QKMF do ta ketë laboratorin dhe radiologjinë, në përdhesë do të jenë trajtimi mjekësor, urgjenca, vaksinimi dhe imunizimi, ndërkaq në katin e parë do të jenë administrata dhe stomatologjia.

Kostoja totale e projektit është afërsisht 2.4 milionë euro, ndërsa punimet do të realizohen brenda një periudhe 30 mujore, e cila do të thotë që në fund të vitit 2027 do të mund të përfundojë ndërtimi i objektit të QKMF-së në Shtime.

“Me këtë investim, jo vetëm që do të rriten shërbimet për qytetarët, por do të përmirësohet edhe cilësia dhe efikasiteti i shërbimeve mjekësore, pasi kushtet do të jenë moderne dhe të sigurta”, ka thënë Kurti.