
Vihet gurthemeli i objektit të ri të Institutit Special në Shtime
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, vendosën sot gurthemelin e objektit të ri të Institutit Special në këtë komunë.
Objekti i ri do të ketë një sipërfaqe prej 6811.24 m² dhe është projektuar në përputhje me standardet më bashkëkohore të kujdesit institucional. Vlera e investimit arrin në 6.3 milionë euro dhe përbën një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës për kujdesin afatgjatë.
Në ceremoninë e organizuar, Kryeministri Kurti tha se ndërtimi i kësaj ndërtese të re do të sigurojë kushte më të mira për akomodim, trajtim, rehabilitim dhe përkujdesje për çdo rezident të institutit.
“Makineritë janë gati, punëtorët po ashtu. Vumë gurthemelin e ndërtesës së re. Ditë e rëndësishme për banorët e institutit dhe për vetë qytetin e Shtimes. Nevoja për këtë investim ka qenë e kahershme dhe tashmë po i japim përgjigje konkrete”, theksoi ai.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm për të ndërtuar një sistem më të drejtë dhe më human për personat me aftësi të kufizuara intelektuale dhe zhvillimore në Kosovë.
“Ky projekt është dëshmi konkrete e përkushtimit të institucioneve tona për të garantuar një trajtim dinjitoz dhe gjithëpërfshirës për secilin banor të këtij institucioni. Përveç ndërtimit të objektit të ri, vit pas viti kemi investuar në përmirësimin e kushteve ekzistuese, pajisje dhe aparatura moderne për të mbështetur stafit në përmbushjen e detyrave të punës”, tha ministri Vitia.
Ndërkohë, Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, e cilësoi këtë ditë si historike për komunën, duke theksuar se në dy vitet e ardhshme do të përfundojë implementimi i projektit, që do t’u ofrojë rezidentëve kushte më të denja për jetesë dhe rehabilitim, në një ambient të sigurt dhe të përshtatshëm.
Instituti Special në Shtime, i themeluar në vitet 1950, është institucioni i vetëm rezidencial në vend që ofron kujdes të specializuar 24-orësh për fëmijët, të rinjtë dhe të rriturit me aftësi të kufizuara intelektuale dhe nevoja për mbështetje në zhvillim.