Veshja e gruas mirditase shpallet “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”
Veshja e mrekullueshme e gruas mirditase, e mbushur me simbole mitike dhe kulti, ështe shpallur “Kryevlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.
Me propozim të Qendrës “Unioni Mirdita”, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, drejtuar nga ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti pasi shqyrtoi dosjen, vendosi që kjo veshje që ka shoqëruar në shekuj gruan e krahinës së Mirditës të shpallet pasuri kombëtare, njofton ministria e Kulturës.
Veshja e Gruas së Mirëditës është një nga objektet më unike të trashëgimisë jomateriale e cila mbart elementë autentikë kulturorë etnografikë, sikurse krahina e Mirditës.
Dëshmitë e para të krijimit të kësaj veshjeje vijnë nga Mesjeta, por në qëndismat e gunës (xhupit) të gruas mirditase janë të ruajtura shumë simole mitike dhe kulti që i përkasin kulturës së hershme iliro-arbërore.
“Sipas studimit të akademikut Mark Tirta në gunën e trevës së Mirditës, Pukës, Lezhës, Krujës, Matit ndeshet dendur simboli i diellit në formë kryqi, në ngjashmëri me svastikën, rrathë koncentrike, elementë këta të kulturës ilire. Pjesët e veshjes përbëhen nga 14 elementë tradicionalë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Shtrirja gjeografike e përdorimit të kësaj veshjeje përfshin gjithë krahinën e Mirditës që ndryshe quhen 12 katundet e bajrakëve (flamujve): Oroshi, Spaci, Kuzhneni, Dibri, Selita, Kthell, Rraza, Kryezezi, Bulgri, Vela dhe Manatia. Veshja etnografike e Mirditës është përdorur edhe nga gratë katolike në Luzë e në zonën e Kurbinit.
Veshja mirditase përmendet për herë të parë në vitin 1610 në një relacion të Argjipeshkvit të Tivarit, dhe më pas në fund të shek XIX nga studiuesi dhe konsulli francez në Shkodër Alexandre Degrande, në librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”, botuar në vitin 1901.
Veshja mirditase përmendet edhe në kujtimet e Edith Durham, si dhe nga studiues dhe udhëtarë të tjerë të kohës.
“Një vlerësim maksimal për këtë veshje ka bërë etnologia franceze, Jacqueline Benezech në vitet ’30, e cila pas një udhëtimi studimor citon ‘vështirë të imagjinoja kostum më hijerëndë dhe njëkohësisht më të jashtëzakonshëm nga bukuria dhe me një prerje aq mjeshtërore….’”.