
Vërshimet në disa qytete të Kosovës shkaktojnë probleme me ujë e rrymë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë me dije se reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit.
IHMK-ja theksoi se reshjet e pandërera të shiut gjatë disa ditëve në vende si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina kanë bërë që lumenjtë dhe përrenjtë të dalin nga shtretërit e tyre.
“Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Sipas këtij instituti, lumenjtë kryesore të vendit – si Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës – kanë ngritje “të lehta” të nivelit të ujit.
Përmbytje në disa rrugë kanë bërë që edhe Kompania për Distribuimim e Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërprejë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.
Në Drenas, KEDS tha se “uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka bërë të ditur se ka ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë për shkak të “ngritjes së nivelit të lartë të turbulleshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit”.
“Kjo masë po ndërmerret për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijes, në përputhje me standardet teknike dhe shëndetësore në fuqi”, thuhet në njoftimin e KRU “Mitrovica”.
Ngjashëm, për reduktime në furnizim me ujë ka njoftuar edhe KRU “Prishtina” për Fushë Kosovën, Drenasin, Obiliqin dhe një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë.
Në kryeqytet, komuna ka apeluar për kujdes, duke shtuar se, shkaku i vërshimeve, mund këtë probleme në qarkullimin rrugor, me kanalizime dhe rrëshqitje dheu.
Në rrjete sociale, banorë, zyrtarë komunalë dhe media lokale të qyteteve të ndryshme kanë publikuar foto e video që tregojnë përmbytjet.
