
Latifi: Gjendja në Rahovec është e menaxhueshme – po bëjmë gjithçka që është e mundur
Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, janë shkaktuar vërshime edhe në disa vendbanime të komunës së Rahovecit.
Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, ka thënë se aktualisht, gjendja është e menaxhueshme, ndërsa po përpiqen të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta lehtësuar situatën.
“Që nga orët e hershme të mëngjesit, bashkë me ekipin tim dhe në koordinim të plotë me të gjitha ekipet komunale, shërbimet emergjente dhe kompani private, jemi në terren për ta përballuar këtë situatë dhe për të minimizuar pasojat për qytetarët tanë, duke vepruar me prioritet aty ku gjendja paraqitet më e rënduar. Aktualisht, gjendja është e menaxhueshme, ndërsa po përpiqemi të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta lehtësuar situatën dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme. Ftoj qytetarët që kanë pësuar dëme nga vërshimet t’i paraqesin kërkesat e tyre te komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve, në mënyrë që të bëhet evidentimi dhe vlerësimi sipas procedurave ligjore”, ka shkruar në “Facebook” kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.
