
Vendoset gurthemeli i pishinës gjysmëolimpike
Podujeva po bëhet me pishinë gjysmëolimpike. Gurthemeli i saj është vendosur sot në një ceremoni të organizuar në Ditën e Çlirimit të Podujevës.
I pranishëm në vënien e gurthemelit ishte edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se kjo pishinë do të bëhet një ambient i këndshëm për notarët e ata që e duan këtë sport.
“Qytetarët kur të vinë këtu do të kenë mjedis të këndshëm, mjedis në të cilin do të mund edhe ta kultivojnë shëndetin e tyre, të notojnë, por edhe të shoqërohen së bashku në një ambient publik i cili kujdeset për mirëqenien e qytetarëve”, theksoi Kryeministri Kurti.
Edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, tha se kjo pishinë do të krijojë kushte shumë të mira për sport dhe rekreacion.
“Ky investim madhor, me vlerë prej 3,956,120.91 euro, financohet nga Ministria e Kulturës me afro 3.5 milionë euro dhe nga Komuna e Podujevës me 500 mijë euro. Pishina do të ndërtohet në një hapësirë prej 4,555.88 m² dhe do të përfshijë: Pishinën gjysmëolimpike për not, pishinën për fëmijë si dhe hapësira përcjellëse për gastronomi dhe rekreacion. Urime, qytetarët e gëzofshin këtë projekt!”, u shpreh kryetari Bulliqi.
Ai e falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku për investimet që po i bëjnë në Komunën e Podujevës.
Ndërkohë, ministri, Hajrulla Çeku, tha se ky projekt është një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe uroi që punët në ndërtimin e tij të shkojnë sa më mirë që sportistët ta gëzojnë sa më parë.
Në ceremoninë e vënies së gurthemelit të pishinës gjysmëolimpike morën pjesë edhe zëvendësministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Hilmi Hoxha, nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, drejtorë e zyrtarë tjerë komunalë dhe qytetarë të Podujevës.