Vendoset gurthemeli i nënstacionit policor në Izvor të  Zveçanit, kap vlerën e 700 mijë eurove

Vendoset gurthemeli i nënstacionit policor në Izvor të Zveçanit, kap vlerën e 700 mijë eurove

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e policisë, Gazmend Hoxha, në mëngjesin e sotëm vendosën gurthemelin e nënstacionit policor në fshatin Izvor të Komunës së Zveçanit, dy kilometra larg kufirit me Serbinë.

“Vlera e projektit është rreth 700 mijë euro. Në këtë nënstacion të ri, që do të ofrojë kushte të përshtatshme të punës për zyrtarët policorë, do të shërbejë policia kufitare, e cila ka në mandat mbrojtjen dhe sigurinë e kufirit dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale ndërkufitare”.

“Të premten e javës që lëmë pas, është vënë gurthemeli i nënstacionit policor tek Ura e Lumit Bistricë e po punohet intensivisht në ndërtimin e objektit të Policisë dhe ARC-së në Leshak, ku vumë gurthemelin para një muaji. Të gjitha këto investime po bëhen me qëllim të sigurimit të kushteve të dinjitetshme të punës për policët tanë, të cilët shërbejnë në këtë pjesë dhe ngritjes së kapaciteteve për ofrimin e sigurisë për vendin tonë”, njofton zyra për media e kryeministrit Kurti.