Vendosë Gjykata Kushtetuese: 40 milionë euro do t’iu kthehen qytetarëve që ua paguan rrymën serbëve në veri

Vendosë Gjykata Kushtetuese: 40 milionë euro do t’iu kthehen qytetarëve që ua paguan rrymën serbëve në veri

Më shumë se 40 milionë euro do t’iu kthehen konsumatorëve, të cilët kishin paguar rrymën për serbët në veri bazuar në një vendim të marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Tashmë vendimi ka marrë formën përfundimtare, pasi një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ka gjetur asnjë shkelje në vendimin e Themelores, Apelit dhe Supremes.

“Rrjedhimisht, Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

“Në vijim, për sa i përket ndërlidhjes së pretendimeve të Zyrës për Rregullatorin për Energji me të gjeturat e Gjykatës në Aktgjykimin KO93/21 , me parashtrues Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetë të tjerë, Aktgjykimi sqaron që ky rast dallon në mënyrë përmbajtjesore nga rrethanat e rastit konkret, ndër tjerash, sepse në rastin KO93/21, Gjykata kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e Rekomandimeve [Nr.08-R-01] të 6 majit 2021 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas të cilave (i) ishte autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”; dhe (ii) ishte detyruar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”. thuhet në njoftim.

“Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin KO93/21, Gjykata, kishte konstatuar që akti i kontestuar i Kuvendit nuk është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Kushtetutës, ndër tjerash, sepse dallimi në trajtimin e konsumatorëve të energjisë elektrike në bazë të vendbanimit, (i) ndjektë qëllimin legjitim të zbatimit të marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, përkatësisht Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për nergjinë Elektrike; dhe (ii) ishte i natyrës së përkohshme. Marrë parasysh dispozitat ligjore, qëllimin legjitim dhe përkohshmërinë e aktit të kontestuar të Kuvendit, përfshirë detyrimin e Qeverisë që të adresojë çështjet që ndërlidhen me sistemin përkatës të faturimit, Gjykata kishte vlerësuar që i njëjti ishte proporcional me qëllimin e ndjekur”, bëhet e ditur më tutje.

Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës. Ndërsa, që gjashtë vite, Qeveria është duke paguar miliona euro, para të taksapaguesve kosovarë, për rrymën e shpenzuar në veri.

Avokti i Popullit kishte ushtruar padi kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cili ka shërbyer si bazë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore për qytetarët që jetojnë në pjesë të tjera të vendit.

Para pak muajve, padia kishte marrë miratim të formës së prerë nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe në vitin e kaluar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Por, ZRRE nuk po dëshiron ta zbatojë këtë vendim, që 40 milionë euro t’u kthehen qytetarëve të Kosovës, të cilëve ua morën paratë nga xhepi.

Ministria e Financave do të duhej që 40-milionë eurot t’i derdhte në llogarinë bankare të ZRRE-së, porse kjo e fundit ishte munduar ta shtyjë vendimin në pafundësi.

Para pak muajve, ZRRE i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, anise ajo ka dhënë mendim në këtë çështje.

“Më lejoni t’ju informoj se ZRRE-ja, ka parashtruar kërkesë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me datë 24.05.2023. Nga Gjykata Kushtetuese me datë 16.06.2023, ZRRE-ja është njoftuar për regjistrim të rastit dhe është në pritje të shqyrtimit nga Gjykata”, kanë bërë të ditur para disa muajve nga zyra për informim e ZRRE-së.

Më 13 prill të 2023’tws,  Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit lidhur me faturimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për rrymën e shpenzuar, por të papaguar në katër komunat veriore.

Supremja ka konstatuar se Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, drejtë e kanë vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë kanë aplikuar të drejtën materiale me mënyrën e vendosjes, përkatësisht aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së paditësit Avokati i Popullit dhe anulimin e vendimit të paditurës ZRRE.

“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mosinkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mospasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, që bie ndesh me nenin 55 par. 4 të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lind e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, ka njoftuar Supremja.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 tetor 2022 kishte aprovuar kërkesëpadinë e Avokatit të Popullit për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë elektrike për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore qytetarëve të Republikës së Kosovës. I njëjti aktgjykim e obligonte ZRRE-në që të ndërmarrte veprime që e obligojnë KEDS-in të bëjë kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë e 855.480.00 euro.

Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës dhe faturat për komunat në veri ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohej, sepse ishte joligjore.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 tetor 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, ka detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga 2012-2017 kanë paguar rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe.

Vendimin për pagesën e rrymës së banorëve serbë në veri të Kosovës më herët e kishte marrë vetë ZRRE-ja, kurse për inkasimin e faturave, të cilat kanë përfshirë edhe shpenzimet në veri, qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të njoftuar.

“Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ka afat deri më 13 qershor 2022 që t’i pajisë konsumatorët e energjisë elektrike në veri me njësorë dhe të bëjë faturimin, ndryshe rrezikon ta shkelë Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit”. Këtë detyrim ia kishte dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës me anë të aktgjykimit të publikuar më 13 janar 2022. Por, kjo nuk ka ndodhur akoma.

Gjykata fillimisht sqaron se objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm kushtetutshmëria e Aktit të kontestuar të Kuvendit, të 6 majit 2021, me të cilin: (i) është autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”, thuhet në pikën dy të aktgjykimit të publikuar më 13 janar të këtij viti.

(ii) është obliguar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”, thuhet më tej.

Kjo pikë jo vetëm që obligonte Qeverinë e Kosovës të shtrinte sistemin, përkatësisht instalimin e njësorëve, por edhe faturimin e konsumatorëve. Ndryshe, Qeveria ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe rrjedhimisht edhe të sovranitetit të vendit.

Në aktgjykimin e bazuar në pretendimet e Blerta Deliut – Kodrës dhe 12 deputetëve tjerë, Gjykata Kushtetuese kishte vlerësuar se Vendimi i Kuvendit të Kosovës i 6 majit për të paguar devijimet e KOSTT-it për energjinë e shpenzuar në veri të Kosovës nuk përbën shkelje kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës kishte autorizuar KOSTT-in që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensoheshin “nga dividendë apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”.

Gjykata më tej sqaronte se “bazuar në dokumentacionin e pranuar nga palët e interesuara, si rezultat i mosfaturimit të energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër (4) komunat e Republikës së Kosovës, humbjet e energjisë elektrike janë regjistruar ‘si devijim i Kosovës ndaj sistemit të Evropës Kontinentale’. Pas shfuqizimit të Vendimit të lartcekur të ZRRE-së dhe deri në prill të vitit 2021, këto humbje, përkatësisht devijimet në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës, janë mbuluar nga Buxheti i Republikës së Kosovës”.

Gjykata ka theksuar se si rezultat i mosfaturimit/mospagesës së energjisë elektrike për konsumatorët e energjisë elektrike në katër komunat e Republikës së Kosovës, konsumi i energjisë elektrike në këto katër komuna është regjistruar si devijim.

Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës pritet të përballet më një presion tjetër, sepse qytetarët kanë shpërthyer në rrjetet sociale lidhur më faturat e larta që u kanë shkuar në muajin e fundit.