“Vendimi për dinarin të pezullohet – Kurti të koordinohet me QUINT-in”

“Vendimi për dinarin të pezullohet – Kurti të koordinohet me QUINT-in”

Reagime të shumta nga ndërkombëtarët kanë ardhur në drejtim të Kosovës, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit në vend.

Lidhur me këtë, SHBA-të shprehën shqetësime se mund të ketë tensione të reja në veri nga serbët.

E, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në një prononcim për Gazeta Blic, kritikon kryeministrin Kurti dhe qasjen e tij, derisa kujton kur ai e kishte quajtur naiv sekretarin amerikan Blinken.

Haliti ia kujton se Kosova është bërë e pavarur nga aleatët amerikanë.

“Po më duhet të flas jo për të dhënë mend por për të shfaqur një mendim. Albinit po i duket vetja se është kërthiza e botës dhe se leksionet e tij duhet t’i dëgjojnë e zbatojnë të tjerët. Ky e quajti edhe Sekretarin e Shtetit të SHBA naiv, dhe denjoj t’i kërkojë falje. Por, a ka harruar Albini që në procesin e çlirimit të Kosovës ai i mbante dhjetë kile lesh në kokë dhe s’ia ka fishkëllyer njeri i gjallë në botë. A e di ai e shpura e tij që Amerika me aleatët e vetë e kanë bërë Kosovën të pavarur? Besoj që siç e di gjithë populli i Kosovës, e di edhe ai”, thotë ai.

Deputeti përkrah qëndrimin e perëndimit që vendimi për dinarin të shtyhet, teksa thotë se s’është mençuri të dalësh kundër Amerikës.

“Shtetet e perëndimit nuk dolën kundër rregullimit shoqëror të Kosovës, por po insistojnë të gjithë pa përjashtim që të shtyhet fillimi i zbatimit të këtij vendimi. Të dalësh sot si Kosovë kundër perëndimit e në veçanti kundër SHBA, nuk është mençuri dhe as nuk vlerësohesh si shtetar i mençur”, thekson Haliti.

Sipas tij, Kurti duhet ta pezullojë vendimin dhe të thotë se po ndryshon kurs politik për shkak të kërkesave të perëndimit e të harmonizohet me ta.

“Unë mendoj që duhet të pezullohet vendimi dhe Kryeministri të deklarohet që po e ndryshon kursin politik lidhur me këtë çështje bazuar në kërkesat e shteteve të perëndimit, dhe do t’i harmonizojmë veprimet sipas udhëzimeve të ndërkombëtarëve. Ky qëndrim nuk e dobëson Kosovën por përkundrazi e forcon para komunitetit ndërkombëtar”, vlerëson Xhavit Haliti.

Ndërsa, sa i përket rrezikut të tensioneve të reja në veri nga serbët pas këtij vendimi, deputeti i PDK-së thotë se Qeveria duhet të angazhohet që të mos ndodhin ato, teksa inkurajon Kurtin që t’i ftojë ambasadorët e Quint-it dhe të ketë dakoordim me ta për këtë çështje.

“Sa i përket tensionimit të situatës, mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të jetë faktori kryesor që angazhohet për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, duke i harmonizuar të gjitha veprimet, mbështetur në Kartën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. BQK-së nuk duhet lejuar që të bëjë veprime të pa matura dhe në kundërshtim me politikat e Qeverisë. Vendimet e tilla duhet studiuar mirë dhe fillimi i zbatimit të fillojë në një moment tjetër. E inkurajoj Kryeministrin e Kosovës që t’i ftojë ambasadorët e Kuintit dhe bashkë me ta të dakordësohen edhe për këtë çështje. Siguria e Kosovës është në duart e SHBA, BE e BM, respektivisht NATO S. Prandaj kujdes”, deklaron deputeti Haliti.