Vendimi i Gjykatës Speciale për Shalën, Jonuzin dhe Bahtijarin do të merret “me kohë”

Vendimi i Gjykatës Speciale për Shalën, Jonuzin dhe Bahtijarin do të merret “me kohë”

Paneli gjyqësor i Dhomave Specializuara në Hagë – të njohur edhe si Gjykata Speciale – ka bërë të ditur se vendimi për pranimin apo jo të marrëveshjeve të pranimit të fajësisë për të tre të akuzuarit, Haxhi Shalën, Sabit Jonuzin dhe Ismet Bahtijarin, “do të merret me kohë”.

Tre të akuzuarit kanë pranuar këtë javë fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë, nëpërmjet një marrëveshjeje për pranim të fajësisë, të arritur me Prokurorinë e Specializuar.

Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar që të mos dëshmojë para Gjykatës Speciale.

Deri më tani, nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhet fjalë apo në cilin rast ka qenë e paraparë të dëshmojë ai.

Bahtijari është pajtuar përgjatë së enjtes që në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.

Një ditë më parë, Shala u pajtua me një dënim deri në tri vjet burgim, ndërsa Jonuzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj, raporton Radio Evropa e Lirë.