Vdiq ish-ylli i One Direction, Liam Payne

Vdiq ish-ylli i One Direction, Liam Payne

Ish-këngëtari i grupit One Direction, Liam Payne, është gjetur i vdekur pasi kishte rënë nga ballkoni i katit të tretë të dhomës së tij në një hotel në Buenos Aires, tha policia argjentinase të mërkurën vonë.

Policia tha se ishte thirrur në hotelin CasaSur në lagjen Palermo të kryeqytetit pas raportimeve se “një burrë agresiv mund të jetë nën ndikimin e drogës dhe alkoolit”.

Kur oficerët mbërritën në vendngjarje zbuluan se një burrë kishte rënë nga ballkoni i dhomës së tij, tha ajo.

Pasi arriti famën botërore si pjesë e grupit shumë të njohur, Payne – sikurse pjesëtarët e tjerë të grupit Harry Styles, Zayn Malik, Niall Horan dhe Louis Tomlinson – e nisi pastaj karrierën solo pasi grupi vendosi të “pauzojë për kohë të papërcaktuar” më 2016.

Albumi i fundit i Payne ishte “Teardrop”, i publikuar në mars të këtij viti.

Derisa shumë hollësi për rrethanat nën të cilat vdiq ai mbesin të paqarta, Payne kishte folur publikisht për vështirësitë me shëndetin mendor dhe për përdorimin e alkoolit për ta përballuar trysninë e famës.

Vdekja e tij shkaktoi shumë pikëllim në mesin e yjeve dhe adhuruesve të industrisë së muzikës, përfshirë në mesin e një turme që ishte mbledhur pranë hotelit.