Vdes i burgosuri në Spitalin e Pejës

Vdes i burgosuri në Spitalin e Pejës

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, njoftojnë se të hënën në orën 19:30, në Spitalin e Pejës, është konstatuar vdekja e të burgosurit, H.M.

SHKK thotë se i njëjti ishte i vendosur në Stacionarin e Qendrës Korrektuese në Dubravë dhe ka qenë duke  u trajtuar në vazhdimësi nga sëmundjet paraprake me të cilat është pranuar.

“Sipas dosjes mjekësore i njëjti ka ardhur me sëmundje të rënda dhe me vështirësi për kujdes për vetveten. Fillimisht është pranuar në Qendrën e Paraburgimit ne Prishtinë, në pranim vizitohet nga mjeku kujdestar dhe për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore udhëzohet për në QKUK dhe pas kthimit dërgohet në stacionarin e burgut të Dubravës.

Edhe në këtë institucion ka pasur vështirësi në menaxhimin e tij për shkak të sëmundjes së tij dhe nga aty është dërguar ne Spitalin e Përgjithshëm të Pejës si dhe ne QKUK. Në vazhdimësi është trajtuar sipas rekomandimeve të specialistëve!”, thuhet në njoftim.

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se personi në fjalë rreth orës 19:30 pasi është dërguar në Spitalin e Pejës është konstatuar vdekja e tij.

“Sonte rreth orës 18:55 ka pësuar krizë të vetëdijes dhe pas reanimimit të vazhdueshëm nga mjeku kujdestar në Stacionarin e Burgut, është dërguar në Emergjenca e Spitalit të Pejës, ku është konstatuar vdekja e tij”.

Organet kompetente janë duke u zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikoi shkakun e vdekjes.