Vdes Frank Wisner, ish-përfaqësuesi i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës

Vdes Frank Wisner, ish-përfaqësuesi i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës

Frank Wisner, ish i dërguari i Shteteve të Bashkuara për bisedime lidhur me statusin e Kosovës, ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Djali i tij, David, tha se ai vdiq pas komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga kanceri në mushkëri.

Diplomati amerikan, Wisner kishte udhëhequr ambasadat amerikane në Zambia, Egjipt, Filipine dhe Indi dhe kishte mbajtur poste të larta në administratat republike dhe demokrate dhe ishte i lidhur me nisma që sollën ndryshime në rajone sikurse Ballkani e Afrika e Jugut.

Teksa po largohej nga Departamenti i Shtetit, Wisner i kishte ndihmuar administratës së presidentit Bill Clinton në negociatat me Qeverinë në Moskë të Boris Yeltsinit, për të ulur shitjen e armëve ruse tek Irani.

Wisner më 1997 u tërhoq nga puna si diplomat, por vazhdoi punën në sektorin privat, në disa role këshilluese, por mori edhe disa misione zyrtare.

Më 2005 administrata e George W.Bush e emëroi atë përfaqësues të posaçëm në negociatat për statusin e Kosovës si shtet sovran, negociata që çuan në pavarësinë e Kosovës më 2008.