Vazhdon manipulimi me statistika
Shkruan: Besnik Tahiri
Paramendoni se si ndihet një zyrtar në Komunë apo Ministri, kur numrat më të lartë janë në kategoritë Profesional 1 dhe 2, e ku pagesa neto (pas pagesës së tatimeve dhe kontributeve pensionale) lëviz në mes e 389 dhe 475 eurove, ndërsa dëgjon krekosjen e pagës mesatare në sektorin publik prej 780 eurove.
780 euro mund të jetë mesatarja e pagës së pozitave politike, nga kryeministri e poshtë te asistenti i ministrit, por jo e administratës shtetërore.
Pra, e vërteta është se rritjen më të madhe të pagesës e kanë pozitat politike, këshilltarët e kabinetit dhe anëtarët e kuvendeve komunale.
Shikoni sa merr pagë një zyrtar komunal, përfshirë edhe ata në ministri/agjenci, në kohën e krizës së çmimeve, nga pasojat e inflacionit. Nëse inflacioni është i importuar, ai është transferuar dorë-për-dorë (në çmime të produkteve, shërbimeve) tek administrata shtetërore, e cila ka pësuar goditjen më të madhe.
Ndërkohë, në anketën e fuqisë punëtore në TM3 (2023), del se paga mesatare e deklaruar është nga 400 deri në 500 euro.
Në Komunë:
• Profesional 3: mesatarja, koeficienti 3.9 x 110 euro (2024) = 429 euro
• Profesional 2: mesatarja, koeficienti 4.9 x 110 (2024) = 529 euro
• Profesional 1: mesatarja, koeficienti 5.62 x 110 (2024) = 618.2 euro
Ministri/Agjenci:
• Profesional 3: mesatarja, koeficienti 4.0 x 110 euro (2024) = 440 euro
• Profesional 2: mesatarja, koeficienti 5.1 x 110 (2024) = 561 euro
• Profesional 1: mesatarja, koeficienti 5.7 x 110 (2024) = 627 euro
Pra, ja si nxirret mesatarja: merret paga e ministrit 16.4 × 110 (2024) = 1,804 dhe një nëpunësi teknik – 3.8 x 110 (2024) = 418 Mblidhen të dyja (1,804 + 418) = 2,222. I pjestojmë me numrin e pagave të llogaritura 2,222 ÷ 2 = 1,111.
Për mesataren, ekziston tregimi, unë i kam dy bukë dhe jemi dy persona, në mesatare kemi nga një bukë, e në realitet, njëri ka mbetur i uritur.