Vala e të ftohtit përfshin SHBA-në
Një valë e re të ftohti pritet të përfshijë pjesë të tëra të Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim, të shoqëruara me erëra të ftohta, dëborë dhe ngrica.
Temperaturat e ftohta që parashikohen për ditën e hënë në Uashington, detyruan autoritetet që ta zhvendosin ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Trump në ambientet e brendshme të Kapitolit.
Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, që nga malet Rockies në Kolorado deri tek shtetet veriore, temperaturat do të bien duke filluar nga e diela dhe do të vazhdojnë gjatë tërë javës së ardhshme dhe ato do të arrijnë deri në – 40 gradë celsius, ose edhe më të ulëta, në Dakota dhe në pjesën veriore të Minesotës, sipas meteorologut nga Shërbimi Kombëtar i Motit, Marc Chenard.
Në kushte të tilla atmosferike, mund të pësohet deri edhe ngrirje nëse ndonjë pjesë e trupi të njeriut ekspozohet ndaj këtyre temperaturave, qoftë edhe për më pak se 10 minuta. Zyrtarët e institutit meteorologjik u bënë thirrje banorëve të veshin xhaketa, kapele dhe doreza dhe të kalojnë sa më pak kohë jashtë.