
Urdhri i Trumpit për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj, GAP: Në Kosovë ndikohen rreth 17 projekte aktive
Urdhri i presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë, në Kosovë i ndikon rreth 17 projekte aktive të financuara nga USAID-i që japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit.
“Disa prej tyre kanë filluar që para pandemisë dhe shumica prej tyre zbatohen nga kompani amerikane e disa më të vogla nga organizata vendore. Përfituesit kryesorë përfshijnë institucione publike si komunat, ministritë, agjencitë e pavarura, universitetet, gjykatat, e po ashtu mediat, sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile”, ka njoftuar instituti GAP.
Ditë më parë Administrata e presidentit, Donald Trump ka pezulluar për tre muaj pothuajse të gjitha ndihmat e huaja, ndërsa autoritetet amerikane po verifikojnë se cilat nga këto ndihma i përshtaten politikës së presidentit “Amerika e para”.
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë pothuajse 70 miliardë dollarë ndihma të huaja gjatë vitit fiskal 2023, shumica përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Trump bllokoi shumicën e këtyre ndihmave në përpjekje për të verifikuar nëse ato i përshtaten politikës së tij, “Amerika e Para”.
Urdhri presidencial ndalon përkohësisht ndihmat për 90 ditë derisa kryhet rishikimi.